+ B A R T O L O M E U
Me mëshirën e Perëndisë
Kryepeshkop i Konstandinopojës – Romës së Re dhe Patriark Ekumenik
për të Gjithë Plotësinë e Kishës:
Hiri, Paqja dhe Mëshira e Krishtit të Ngjallur në Lavdi, qofshin me ju të gjithë
Shumë të nderuarve vëllezër Hierarkë,
Fëmijë të dashur,
Me mëshirën dhe forcën e Perëndisë, ne kemi udhëtuar përmes lutjes dhe kreshmimit përtej oqeanit të Kreshmës së Shenjtë dhe të Madhe, duke arritur më në fund festën e mrekullueshme të Pashkës dhe lavdërojmë Zotin e lavdisë, i cili zbriti në thellësi të Ferrit dhe “na mundësoi hyrjen për të gjithë ne në Parajsë” nëpërmjet Ngjalljes së Tij nga të vdekurit.
Ngjallja nuk është kujtimi i një ngjarjeje nga e kaluara, por “ndryshimi i mirë” i ekzistencës sonë, “një lindje tjetër, një jetë alternative, një lloj tjetër jetese, transformimi i vetë qenies sonë”.[1] Dhe në
Krishtin e Ngjallur, e gjithë krijesa përtërihet së bashku me njerëzimin. Kur këndojmë në Odën e 3-të të Kanonit të Pashkës, se “Tani gjithçka është e mbushur me dritë – qielli, toka dhe gjithçka nën tokë; prandaj, le të kremtojë gjithë krijesa Ngjalljen e Krishtit, në të cilën gjithçka është vendosur”, ne shpallim se universi është themeluar dhe mbushur me dritë të pashuar. Frazat “para Krishtit” dhe “pas Krishtit” tingëllojnë të vërteta jo vetëm për historinë e racës njerëzore, por edhe për hir të gjithë krijesës.
Ngjallja e Zotit nga të vdekurit përbën bërthamën e Ungjillit, pikën e qëndrueshme të referencës për të gjithë librat e Dhiatës së Re, si dhe për jetën liturgjike dhe përkushtimin e të Krishterëve Ortodoksë. Në të vërtetë, fjalët “Krishti u Ngjall!” përmbledh teologjinë e Kishës. Përvoja e shfuqizimit të sundimit të vdekjes është një burim gëzimi të pashprehur, “i lirë nga lidhjet e kësaj bote”. “Të gjitha gjërat mbushen me gëzim kur marrin shijen e ngjalljes.” Ngjallja është një shpërthim “gëzimi të madh” dhe përshkon të gjithë jetën, moralin dhe shërbesën baritore të kishës si parashija e plotësisë së jetës, njohurive dhe jetës së mbretërisë së përjetshme të Atit, Birit edhe Shpirtit të Shenjtë. Besimi Ortodoks dhe pesimizmi janë dukuri kontradiktore.
Pashka është për ne një festë lirie dhe fitoreje mbi forcat tjetërsuese; është kishtarizimi i ekzistencës sonë, një ftesë për të bashkëpunuar për shpërfytyrimin e botës. Historia e Kishës përkthehet si “një Pashkë e madhe” si udhëtim drejt “çlirimit në lavdi të fëmijëve të Perëndisë” (Romakëve 8:21). Përvoja e ngjalljes zbulon qendrën dhe dimensionin eskatologjik të lirisë në Krishtin. Referencat biblike për Ngjalljen e Shpëtimtarit demonstrojnë fuqinë e lirisë sonë si besimtarë; Vetëm në këtë liri shfaqet “mrekullia e madhe”, e cila mbetet e paarritshme për çdo shtypje. “Misteri i shpëtimit u përket atyre që e dëshirojnë lirisht, jo atyre që janë të tiranizuar kundër vullnetit të tyre.”[2] Pranimi i dhuratës hyjnore si një “tranzicion” i besimtarit drejt Krishtit është përgjigja ekzistenciale vullnetare ndaj “tranzicionit” të dashur dhe shpëtues të Zotit të Ngjallur drejt njerëzimit. Sepse “pa Mua nuk mund të bëni asgjë” (Joani 15:5).
Misteri i Ngjalljes së Perëndinë edhe sot e kësaj dite vazhdon të shkatërrojë siguritë pozitiviste të atyre që e mohojnë Perëndinë si “mohim i vullnetit njerëzor”, si dhe mbrojtësve të “idesë së gabuar të vetë-përmbushjes pa Perëndinë” dhe admiruesve të “njeriut-perëndi” bashkëkohor. E ardhmja nuk u përket atyre që janë të burgosur në një ekzistencë tokësore të vetë-mjaftueshme, mbytëse dhe të ngushtë. Nuk ka liri autentike pa ngjallje, pa perspektivën e përjetësisë.
Për Kishën e Madhe të Shenjtë të Krishtit, një burim i një gëzimi të tillë ringjallës gjendet edhe këtë vit në kremtimin e përbashkët të Pashkëve nga e gjithë bota e krishterë, së bashku me përkujtimin e 1700-vjetorit të Sinodit të Parë të Nikesë, që dënoi herezinë e Ariusit, i cili “zvogëloi brenda Trinitetit Birin e vetëm dhe Fjalën e Perëndisë” dhe që përcaktoi mënyrën e përllogaritjes së datës për festën e Ngjalljes së Shpëtimtarit tonë.
Sinodi i Nikesë përuron një epokë të re në historinë sinodale të Kishës, kalimin nga niveli lokal në atë ekumenik sinodal. Siç e dimë, Sinodi i Parë Ekumenik prezantoi termin jobiblik “omoousios (i një thelbi)” në Simbolin e Besimit, ndonëse me një referencë të qartë sotiriologjike, e cila mbetet karakteristikë thelbësore e doktrinave kishtare. Në këtë kuptim, kremtimet e këtij përvjetori madhështor nuk janë një kthim në të kaluarën, pasi “fryma e Nikesë” ekziston e paprishur në jetën e Kishës, uniteti i së cilës lidhet me kuptimin dhe zhvillimin e drejtë të identitetit të saj sinodal. Diskutimi mbi Sinodin e Parë Ekumenik të Nikesë na kujton kryetipet e përbashkëta të krishtera dhe domethënien e luftës kundër çoroditjes së besimit tonë të panjollë, duke na inkurajuar të kthehemi drejt thellësisë dhe thelbit të Traditës Kishtare. Festimi i përbashkët këtë vit i “më të shenjtës ditë të Pashkës” nxjerr në pah kohëzgjatjen e temës, zgjidhja e së cilës shpreh jo vetëm respektin e Krishtërimit për dekretet e Sinodit të Nikesë, por edhe vetëdijen se “nuk duhet të ketë dallime në çështje të tilla të shenjta”.
Me këto ndjenja, të mbushura me dritën dhe gëzimin e Ngjalljes, duke shpallur me ngazëllim “Krishti u Ngjall!”, le të nderojmë ditën e zgjedhur dhe të shenjtë të Pashkëve me një rrëfim të përzemërt të besimit tonë në Shpëtimtarin, i Cili shkeli vdekjen me vdekje dhe u dha jetë të gjithë njerëzve dhe gjithë krijesës, nëpërmjet bestarisë sonë ndaj traditave të shenjta të Kishës së Madhe si dhe përmes dashurisë së sinqertë për fqinjin tonë, për lavdërimin nga të gjithë ne, të emrit qiellor të Zotit.
Në Fanar, Pashka e Shenjtë 2025
+ Bartolomeu i Konstandinopojës
Lutës i zjarrtë për ju të gjithë
në Zotin e Ngjallur
1. Grigori i Nisës, “Në Ngjalljen e Zotit tonë”, PG 46.604.
2. Maksim Rrëfimtari, “Në Lutjen Zotërore”, PG 90.880.
_______
Photo: Nikos Papachristou
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου