e-περιοδικό της Ενορίας Μπανάτου εν Ζακύνθω. Ιδιοκτήτης: Πρωτοπρεσβύτερος του Οικουμενικού Θρόνου Παναγιώτης Καποδίστριας (pakapodistrias@gmail.com), υπεύθυνος Γραφείου Τύπου Ι. Μητροπόλεως Ζακύνθου. Οι δημοσιογράφοι δύνανται να αντλούν στοιχεία, αφορώντα σε εκκλησιαστικά δρώμενα της Ζακύνθου, με αναφορά του συνδέσμου των αναδημοσιευόμενων. Η πνευματική ιδιοκτησία προστατεύεται από τον νόμο 2121/1993 και την Διεθνή Σύμβαση της Βέρνης, κυρωμένη από τον νόμο 100/1975.

Τα νεότερα στα θεματικά ένθετα

Σάββατο 4 Μαΐου 2024

ENCIKLIKA PATRIARKALE PËR PASHKËN E SHENJTË (2024)

+ B A R T O L O M E U

Me mëshirën e Perëndisë, Kryepeshkop i Konstandinopojës – Romës së Re

 dhe Patriark Ekumenik;

për të Gjithë Plotësinë e Kishës,

Hiri, Paqja dhe Mëshira e Krisht të Ngjallur në Lavdi, qofshin me ju të gjithë.

Shumë të nderuarve vëllezër Hierarkë dhe fëmijëve të dashur në Zotin,

Me kënaqësinë dhe Hirin e Perëndisë, dhuruesi i të gjitha dhuratave, mbasi kemi përshkuar garën e Kreshmës së Shenjtë dhe të Madhe dhe duke kaluar me përdëllim Javën e Mundimeve të Zotit tonë, ja, tashmë kënaqemi në kremtimin e Ngjalljes së Tij të mrekullueshme, përmes së cilës u shpëtuam nga tirania e Ferrit

Ngjallja e lavdishme e Zotit Krisht prej së vdekuri është një ngjallje e përbashkët e të gjithë racës së të vdekshmëve dhe një parashije e përsosmërisë së të gjithave, si dhe e përmbushjes së Ikonomisë Hyjnore në Mbretërinë qiellore. Ne marrim pjesë në misterin e patregueshëm të Ngjalljes në Kishë, duke u shenjtëruar në misteret e saj dhe duke përjetuar Pashkën, “e cila na hapi portat e Parajsës”, jo si një kujtesë e një ngjarjeje në të kaluarën, por si kuintesencë e jetës kishtare, si prania e Krishtit gjithnjë mes nesh, më afër nesh se ne me veten tonë. Në Pashkë, besimtarët ortodoksë zbulojnë veten e tyre të vërtetë si të qenit në Krishtin; ata janë të integruar në lëvizjen e të gjitha gjërave deri në Fund të Kohërave, “me gëzim të pashprehshëm dhe të lavdishëm” (1 Pjetrit 1.8), si “fëmijë të dritës . . . dhe bijtë e ditës” (1 Thesalonikasve 5,5).

Tipari qendror i jetës ortodokse është pulsi Ngjallës i saj. Filozofët e kanë përshkruar gabimisht spiritualitetin ortodoks si “të zymtë” dhe “vjeshtor”. Në të kundërt, perëndimorët me të drejtë lavdërojnë perceptueshmërinë e rafinuar të ortodoksëve në lidhje me kuptimin dhe thellësinë e përvojës së Pashkës. Megjithatë ky besim nuk harron kurrë se rruga drejt Ngjalljes kalon nëpërmjet Kryqit. Spiritualiteti ortodoks nuk e njeh utopizmin e një Ngjalljeje pa Kryqëzimin, as pesimizmin e Kryqit pa Ngjalljen. Për këtë arsye, në përvojën ortodokse, e keqja nuk e ka fjalën përfundimtare në histori, ndërsa besimi në Ngjallje shërben si motivim për luftën kundër pranisë të së keqes dhe pasojave të saj në botë, duke vepruar si një forcë e fuqishme transformuese. Në vetëdijen ortodokse nuk ka vend për dorëzim ndaj së keqes apo për indiferencë ndaj zhvillimit të çështjeve njerëzore. Përkundrazi, kontributi i saj në transformimin e historisë ka bazë teologjike dhe argumentim ekzistencial dhe shpaloset pa rrezikuar të identifikojë Kishën me botën. Besimtari ortodoks është i vetëdijshëm për antitezën midis realitetit të kësaj bote dhe përsosmërisë eskatologjike. Dhe kështu ai ose ajo nuk mund të qëndrojë duarkryq përpara çdo dimensioni negativ të botës. Për këtë arsye, Kisha Ortodokse kurrë nuk e ka konsideruar luftën për transformimin e botës si një çështje të pakuptimtë. Besimi ynë në Ngjallje e ka ruajtur Kishën si nga introversioni dhe indiferenca ndaj botës, ashtu edhe nga shekullarizimi.

Për ne ortodoksët, i gjithë misteri dhe thesari ekzistencial i devotshmërisë sonë është i përmbledhur në Pashkë. Kur dëgjojmë se miroprurëset “mbetën të habitura” kur “hynë në varr dhe panë një të ri të veshur me rroba të shndritshme” (Marku 16,5), kjo karakterizon pafundësinë dhe thelbin e përvojës sonë të besimit si përvojë e mrekullisë ekzistenciale. Kur dëgjojmë se “ato u habitën”, kjo do të thotë se gjendemi përpara një misteri që bëhet më i thellë sa më shumë që i afrohemi, në përputhje me atë që është thënë, se besimi ynë “nuk është një udhëtim nga misteri në dije, por nga dija në mister”.

Ndërsa mohimi i misterit redukton ekzistencialisht natyrën njerëzore, respektimi i misterit na hap portat e parajsës. Besimi në Ngjallje është shprehja më e thellë dhe më e qartë e lirisë sonë; ose më mirë, është lindja e lirisë si një pranim vullnetar i dhuratës supreme hyjnore, domethënë i hyjnizimit me anën e hirit. Si “Ngjallje e përjetuar”, Kisha Ortodokse është hapësira e “lirisë autentike” që për jetën e krishterë është themeli, rruga dhe fati. Ngjallja e Krishtit është lajmi i mirë i lirisë, dhurata e lirisë dhe garancia e “lirisë së përbashkët” në “jetën e përjetshme” të Mbretërisë së Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.

Me këto ndjenja, vëllezër tepër të çmuar dhe fëmijë të dashur, të mbushur me gëzimin e plotë të pjesëmarrjes në “festën që ndahet nga të gjithë”, pasi morën dritë nga drita e pambarimtë dhe i dhanë lavdi Krishtit të ngjallur prej së vdekuri dhe u dha jetë të gjithëve – edhe kur kujtojmë gjatë kësaj “dite të zgjedhur dhe të shenjtë” gjithëfestive të gjithë vëllezërit dhe motrat tona në rrethana të vështira – i lutemi Zotit tonë “i cili e shkeli vdekjen me vdekje”, Perëndisë së paqes, që të sjellë paqen në botë dhe të drejtojë hapat tanë drejt çdo vepre që është e mirë dhe e pëlqyeshme për Të, duke shpallur himnin e gjithëgëzueshëm “Krishti u Ngjall”!

Në Fanar, Pashka e Shenjtë 2024

+ Bartolomeu i Konstandinopojës

Lutës i zjarrtë për të gjithë ju në Zotin e Ngjallur

Δεν υπάρχουν σχόλια: